Më 24.04.2025, z. Milaim Abduraimi, Auditor i Përgjithshëm i IPA-s, i shoqëruar nga znj. Svetlana Dungevski, Ndihmëse Auditore e Përgjithshme për IPA-n dhe z. Sherif Abdullahi, Auditor i lartë, patën një takim pune dypalësh me Zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) znj. Sala Sastamoinen, në ambientet e OLAF-it, Bruksel, Belgjikë.
Me qëllim arritjen e vazhdueshme të qëllimeve të përbashkëta të ruajtjes dhe mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, të dyja palët theksuan rëndësinë thelbësore të luftës kundër korrupsionit, mashtrimit, dyshimeve për mashtrim dhe parregullsive. Auditori i Përgjithshëm për IPA-n theksoi se nëpërmjet punës audituese, ne synojmë të kontribuojmë në një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në përdorimin e fondeve të BE-së.Gjithashtu, në margjinat e takimit, Auditori i Përgjithshëm për IPA-n theksoi nevojën për mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve përmes trajnimeve, konferencave dhe praktikave për të përmirësuar njohuritë e auditorëve në fushën e parandalimit dhe zbulimit të korrupsionit dhe mashtrimit.

